Këshilla e shejkh Muhamed ibnu Rabi’ el-Medkhalij për Selefitë në perëndim…

0
463

Këshilla e shejkh Muhamed ibnu Rabi’ el-Medkhalij për Selefitë në perëndim në lidhje me disa çështje problematike që përballen sot

 

Vallahi unë habitem me një musliman që i lexon këto ajete dhe hadithe dhe nuk i kushton vëmendje, porse m’u shtua habia kur pashë tek njerëzit e Teuhidit, tek pasuesit e tij dhe tek njerëzit e davetit selefij përçarje, mosmarrëveshje, urrejtje, mbjellje të armiqësisë dhe etikimin me llagape. Pashë shmangien e tyre nga e vërteta, ndërkohë që pretendojnë se e pasojnë atë dhe ecim me atë që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij –sal-Allahu alejhi ue selem–.

Gjen një grup që paralajmëron ndaj tjetrit dhe që janë të zënë me shkrime, me mësime, me regjistrime dhe me cicërima në twiter për çfarë? Për të goditur njerëzit e teuhidit me njëri-tjetrin dhe për të goditur selefitë me njëri-tjetrin dhe nuk u bëjnë dobi atyre këshillat, as udhëzimet e dijetarëve të mëdhenj, as ndalesa e tyre që të mos përçahen, as urdhri i tyre për harmoni dhe dashuri, përderisa ai është vëllai yt dhe nuk ka bërë bidat, as nuk është është bërë bidaçi dhe e veçon Allahun me adhurim, as nuk është hizbij, ai është vëllai yt për hir të Allahut, dhe është detyrë që ta duash atë për hir të Tij, dhe ta ndihmosh dhe të bashkëpunosh me të në davet dhe të mos dalësh kundër tij.

Disa prej tyre thonë: ‘kur shoh filanin më acarohen nervat’, sikur ka parë një derr apo sikur ka parë në gjoksin e tij një kryq, apo një brez (që e veshin të krishterët) në belin e tij. O Zot, na mëshiro me Mëshirën Tënde o Mëshirues i mëshiruesve!

Kini frikë Allahun o selefijun, kini frikë Atë kudo që të jeni, bëhuni me të vërtetën dhe bëhuni me të sinqertët.

Vallahi disa selefijin janë bërë si hizbitë duke ndjekur hapat e tyre, madje ia kanë kaluar atyre, nëse një hizbij gënjen, gënjen edhe ai, nëse hizbijtë mashtrojnë, mashtron edhe ai, nëse hizbijtë janë fanatikë pas një shejkhu apo një menhexhi, bëhen edhe ata të tillë, ndërkohë që pretendojnë se janë selefijun.

Dhe kanë harruar të merren me “luftimin” e bidaçijve dhe hizbijve, dhe preokupimi i tyre kryesor është bërë: ‘goditja e vëllait të tij selefi me çdo mjet, para se të fle mendon se çfarë do të bëj nesër me filanin dhe fistekun dhe kur zgjohet nga gjumi mendon se çfarë do të bëj sot kundër vëllait të tij në besim dhe në menhexhin selefij.’

Vallahi për këtë arsye nuk i fajësoj më hizbitë, as nuk i fajësoj Rafidat, as nuk i fajësoj për fanatizmin e tyre ndaj dijetarëve dhe mendimeve të tyre, nuk i fajësoj ashtu siç i kam fajësuar më parë, përderisa pretendojnë se ndjekin atë që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ecin sipas mendimit të tyre, d.m.th sipas tekave dhe epsheve të tyre dhe paralajmërojnë ndaj njerëzve të hakkut dhe ndaj vëllait të tyre selefij.

O vëlla a e bën bidatçi këtë person? Nuk mundesh ta bësh të tillë, le të supozojmë se gaboi dhe ka kundërshtuar këndvështrimin tënd, duroje dhe këshilloje veçmas, ama që ta konsiderosh atë si armik, ndërkohë që ai është si ty që ndjek Kur’anin dhe Sunnetin, vallahi kjo është hizbijeh dhe kjo është ndjekje e epsheve, dhe të vërtetën tha Allahu:

{A nuk e ke parë atë që e ka marrë për të adhuruar epshin e vet dhe e humbi Allahu duke qenë i ditur},

ata janë të ditur dhe ndjekin epshet e tyre. Meshaikhët prej njerëzve të dijes, të përgatitur dhe të drejtë i paralajmëruan dhe i udhëzuan ata duke u thënë: duhet të keni vëllazëri dhe të tregoni dashuri ndaj njëri-tjetrit dhe lëreni këtë përçarje dhe armiqësi ndaj vëllezërve tuaj selefijun, vallahi nuk marrin vesh!

Dhe në krye të këtyre këshilluesve është babai im shejkh Rabi’ –Allahu e ruajttë– dhe me të vërtetë nuk është marrë në këtë periudhë, afërsisht një vit, vetëm se duke bërë thirrje për vëllazëri, afeksion dhe dashuri mes selefive.

I regjistrojnë atij këshilla dhe ia fshehin, i përhapin njëherë dhe më pas i fshehin dhe më e fundit e tyre, këshilla që iu drejtua vëllezërve selefij në Britani, kjo këshillë është regjistruar në praninë e disa dëshmitarëve të besueshëm, e cila përmban fjalën e tij, pas:

Lavdërimi i takon Allahut dhe Lëvdata dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij:

Fjala e shejkh Rabi’: “E këshilloj veten time dhe të gjithë Muslimanët, dhe në veçanti selefitë: që të kenë frikë Allahun – e Madhëruar e të Lartësuar – dhe të kapen pas Litarit të Allahut – të Plotfuqishëm e të Madhëruar – të kenë vëllazëri në mes selefijve në veçanti, si dhe marrëdhënie e bashkëpunim në vepra të mira dhe devotshmëri. Të largohen nga shkaqet e mospajtimit (khilaf) – Allahu ju bekoftë – sepse kjo e prish imazhin e da’uetit të tyre, e prish imazhin e tyre dhe i gëzon armiqtë e tyre.”

I këshilloj selefijt që të kenë frikë Allahun – e Madhëruar e të Lartësuar – dhe të kenë zell të madh në ruajtjen e dashurisë, e vëllazërisë, mëshirës dhe dashamirësisë së ndërsjellë në mes veti dhe largimin nga shkaqet e mospajtimit (khilaf). Ai që gabon prej selefive, nuk poshtërohet në publik…” – prej selefive dhe jo prej bidatçijve, del një injorant dhe thotë: se kjo fjalë e shejkh Rabisë i përngjan fjalës së ikhuanëve, të cilët thonë: “Të bashkëpunojmë në atë që biem dakord dhe ta justifikojmë njëri-tjetrin në atë që kundërshtohemi.”

O injorant, shejkh Rabi’ nuk ka për qëllim që të përfshij bidaçijtë në këtë fjalë që tha, por kishte për qëllim që ta ndihmoni dhe ta doni njëri-tjetrin, sa përket fjalës së ikhuanëve, ajo që ata kanë për qëllim është përfshirja e Rafidave, Sufive, madje edhe përfshirja e Nusejrive dhe e të gjithë atyre që ndjekin menhexhin e tyre, këtë kanë për qëllim që t’i përfshijnë të gjithë ata që ndjekin davetin e tyre dhe të justifikojnë atë që kundërshton hakun.

Ndërsa shejkh Rabi’ ka për qëllim që nëse një thirrës apo nxënës dije i cili nuk është bidatçi dhe gabon ka të drejtën e vëllazërisë dhe këshillës dhe nuk poshtërohet në publik, ashtu siç thotë shejkhu Allahu e ruajttë: “dhe nuk poshtërohet në publik, porse këshillohet, e këshillon atë ai që ka mendje të shëndoshë” – dhe jo çdo njeri pa njohuri dhe dituri- “ai që ka mendje të shëndoshë dhe ka njohuri të sakta” – dhe jo ata që kërkojnë poste dhe pozitë dhe dëshirojnë që të jenë të famshëm, por njerëzit e sinqertë dhe të thjeshtë dhe ata që e duan davetin selefij dhe që i japin përparësi atij ndaj vetes së tyre. Ata kanë të drejtë ta këshillojnë, ta sqarojnë, ta diskretitojnë dhe lavdërojnë – “…e këshillojnë atë ata që kanë mendje të shëndoshë dhe njohuri të sakta, e këshillojnë me urtësi dhe me këshillë të bukur…”.

“I porosis vëllezërit në Britani në veçanti, që të vëllazërohen me vëllezërit e tyre selefij në Kuvajt, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, në Egjipt, në Sudan si dhe në të gjitha anët e botës Islame…”.

Shejkhu vë theksin se disa selefij kanë paralajmëruar kundër tyre dhe i kanë këshilluar ata që të mos i dëgjojnë dhe të mos i mirëpresin, ndërkohë që ata janë selefij, nuk janë bidatçij, as hizbij, as tebligsa dhe as rafida, pavarësisht gjithë kësaj paralajmërohet kundër tyre, derisa sa shejkhu -Allahu e ruajttë- tha:

“Nëse atyre ju vjen ndonjë grup –në Britani- nga Kuvajti ose nga ndonjë vend tjetër, le ta mirëpresin me gjithë respekt dhe nderim. Të mos kenë frikë nga asnjëri…”

– nga ata të cilët i kanë frikësuar njerëzit me paralajmërime, tebdi’e dhe se filani është tradhtar-

“Nuk ka arsye që të keni frikë – in sha Allah. Allahu ju bekoftë. Shejtani ju frikëson dhe ju tremb nga filani e filani, mos ia keni frikën, frikësojuni vetëm Allahut – të Madhëruar e të Lartësuar”

– d.m.th mos kini frikë nga pritja e vëllezërve tuaj selefij që e veçojnë Allahun me adhurim, mirëpritini ata caktojini ata që të japin mësim në xhamitë tuaja dhe lëreni mënjanë paralajmërimin që nuk është i bazuar në baza të shëndosha, por në qëllime të caktuara, lus Allahun që ta na udhëzojë neve dhe vëllezërit tanë, të cilët vallahi i duam, i duam ata për teuhidin dhe selefijen që bartin dhe për distancimin nga hizbijah, pavarësisht se kanë gabuar dhe kanë ndjekur epshet e tyre në urrejtje dhe armiqësi kundrejt selefive që janë si ata, porse lus Allahun që t’i udhëzojë, ne duam që çdo selefi të reflektojë dhe ta njoh hakun dhe ta dallojë atë nga e kota.

Dhe shejkh Rabi’ tha:

“Respektojeni dhe nderojini vëllezërit tuaj Kuvajtian të cilët kanë derdhur mund të madh në vënien e bazave të da’uetit tuaj – në Britani– duke e përhapur, inkurajuar dhe përkrahur atë. – Kështu duhet të veproni edhe ju o vëllezër në Amerikë- Andaj, mos e harroni këtë të mirë. Allahu ju dhëntë sukses dhe ua përmirësoftë gabimet tuaja, ju bekoftë dhe i bashkoftë zemrat tuaja dhe e largoftë nga ne dhe ju çdo të keqe. Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij”.


 

Këto fjalë dolën prej shejkhut (Rabisë) në mesin e një grupi të cilët e vizituan atë nga Kuvajti në natën e 7 Sheualit 1436 h. D.m.th para 10 ditësh afërsisht ose më pak.

Ajo që kisha për qëllim me këtë fjalë të shejkhut këtu është që t’ju sigurojë se ka në mesin e selefive një lloj urrejtje dhe mosmarrëveshje, vallahi kjo gjë nuk ka baza dhe nuk ka arsye që meriton këtë mosmarrëveshje, d.m.th deri në atë pikë sa të meritoj këtë urrejtje dhe armiqësi, janë thjesht mendime të ndryshme.

Ka pasur në mes shejkh Albanit apo shejkh ‘Uthejminit apo shejkh ibn Bazit mosmarrëveshje, jo në akide, në çështje fik’hijeh, për hukmin e hixhabit, për hukmin e bizhuterive me ar, shejkh Albani mendonte se çdo bizhuteri ari që është në formë rrethi, të cilat vendosen në dorë apo në qafë për gratë, nuk lejohet, ndërsa shejkh ‘Uthejmini dhe shejkh ibn Bazi e shihnin si të lejuar dhe ky është mendimi më i saktë, mirëpo a paralajmëruan ata ndaj shejkh Albanit dhe a i larguan njerëzit prej tij dhe a i largoi ai njerëzit prej tyre? Apo i lavdëronte dhe e lavdëronin, i donte dhe e donin, bënte dua për ta dhe ata bënin dua për të, shkonte për mik tek ata dhe ata e lavdëronin atë? Saqë shejkh ibn Bazi tha për të: “Nëse ka muxhedid në këtë shekull ai është shejkh Albani”.

Mospajtimet që kishin në disa degëzime nuk i shpinte ata në urrejtje, armiqësi dhe përçarje. Ata janë dijetarët e vërtetë, ata janë të cilët nuk dëshironin për vetet e tyre pozitë, të cilët iu shmangnin famës dhe nuk i kushtonin vëmendje asaj, nuk i kushtonin vemendje kur dikush i thoshte “Alameh” apo “muxhedid”, apo njeri shumë i zgjuar.

Dhe ajo që kam lexuar së fundi rreth shejkh ‘Uthejminit –rahimehullah- është: një person tregon se e ka parë shejkhun në Haremin e Mekes dhe mesa dukej, sapo kishte përfunduar ‘Umren, kishte veshur një rrobe të pa hekurosur dhe të thjeshtë dhe nuk kishte veshur ‘bisht’ (një lloj veshje e hollë që e veshin dijetarët dhe jo vetëm në Arabinë Saudite sipër xhelabijes) dhe kur afroi koha e faljes, u afrua shejkhu që të falej në rreshtin e parë pranë Qabes pas imamit, ndërkohë polici herën e parë e ndaloi, dhe shejkhu nuk i tha: “unë jam filani, unë jam shejkh ‘Uthejmini, jo heshti u kthye dhe bëri një ‘tauaf’ rreth Qabes dhe u kthye që ta provonte për së dyti” dhe përsëri polici e ndaloi dhe shejkhu i tha: “Me çfarë të drejte më ndalon, kjo është shtëpia e Allahut, për atë që ka ardhur herët dhe u largua përsëri dhe bëri ‘tauav’ për herë të tretë”, u kthye dhe këtë herë ia doli mbanë, qëndroi në rresht dha tekbir që të falte sunnetet, polici ishte i zënë me dikë tjetër dhe kur e vuri re u nxeh me këtë veprim të shejkhut dhe sapo shejkhu dha selam polici iu afrua dhe e goditi lehtë në sup dhe i tha: “Ngrihu o xhaje, se ky vend është për dijetarët.” Burri i cili po e tregonte këtë ngjarje e njihte shejkhun dhe iu drejtua policit duke i thënë: “Nuk e njeh këtë shejkh?! Ky është dijetari i madh shejkh Muhamed ibn Salih el-‘Uthejmini, a ky është dijetari i madh shejhu Muhamed ibn Salih el-‘Uthejmini?!” Meqë polici nuk e ndihmoi, nuk i mbeti gjë tjetër vetëm se t’i puthë kokën shejkhut dhe t’i kërkoj falje. Çfarë tha shejh Uthejmini pasi polici i kërkoi falje dhe i puthi kokën, burri që e tregon ngjarjen tha: “shejkhu më pa me një shikim që tregonte mosaprovim për zbulimin e identitetit të tij, duke buzëqeshur i kërkova falje.”

Shikoni o vëllezër shikoni përulësinë dhe thjeshtësinë e dijetarëve dhe tani ne jemi sprovuar me njerëz që kërkojnë famë që kërkojnë pozitë në emër të davetit dhe dijes lus Allahun të na ruajë dhe të na mbrojë.

Vallahi shejtani po luan me mendjet e tyre dhe nuk po e kuptojnë, ju e dini historinë e Ueijs el-Karanij, për të cilin i Dërguari i Allahut –sal-Allahu alejhi ue selem– i tregoi ‘Umerit –radijAllahu anhu–që ta kërkojë dhe të kërkojë prej tij që t’i bëj dua, ndërsa ai fshihej dhe kur ‘Umeri e gjeti i kërkoi atij që t’i bëj dua. Çfarë bëri ai pas kësaj? U largua për në Irak dhe nuk tha që Prijësi i Besimtarëve më ka lavdëruar, porse u largua për në Irak dhe u fsheh si i varfër dhe ndoshta u ka ruajtur njerëzve bagëtinë, ndërkohë që atij iu pranonte duaja dhe ‘Umeri e kërkonte që t’i bënte dua, sipas porosisë së të Dërguarit –sal’Alahu alejhi ue selem– “ue la haule ue la kuvete ila bil Allah” dhe tani ne jemi sprovuar me njerëz që pretendojnë se janë selefij dhe pretendojnë se kanë dije, e në të vërtetë ajo që po kërkojnë është fama dhe lavdia në kurriz të davetit.

Vëllezër nuk dua që t’ju vonoj, lus Allahun për sukses dhe udhëzim, e lus Atë që t’mi fal gabimet mua, juve dhe të gjithë muslimanëve, e lus Atë që të na bëj prej grupit të shpëtuar dhe ndihmuar dhe të na ruajë nga bidati dhe humbja, ta na ruajë nga pëlqimi i vetvetes, nga pëlqimi i epsheve, famës dhe lavdisë dhe e lus Atë të na bëj prej atyre që i ndreqin gjërat. Allahu na dhëntë neve dhe juve sukses në atë që Ai e do dhe është i Kënaqur me të.

O Allah largoji fitnet që kanë kapluar ummetin e Muhamedit –salAllahu alejhi ue selem– ruaji ata nga kurthet e armiqve dhe sill harmoni në zemrat e tyre dhe bashkoji rreshtat e tyre, O Allah udhëzoji selefitë, të cilët janë njerëzit e teuhidit Tënd dhe veçimit Tënd në adhurim, O Allah sill harmoni në zemrat e tyre, rregulloja atyre çështjet, bashkoje fjalën e tyre, largoje prej tyre urrejtjen, armiqësinë dhe mosmarrëveshjet.

Ue sal’Allahu ala Muhamedin ue ala Elihi ue ashabihi exhmein.

 

Artikulli paraprakMendimi i shejkh ibën Baazit për Rafidat…
Artikulli tjetërXherhi ndaj selefiut i cili nuk këmbëngul në të kotën është menhexh hadadish! – Shejkh Ahmed Bazmul

LË NJË PËRGJIGJE

Ju lutem! Shkruani komentin tuaj!
Ju lutem! Shkruani emrin tuaj këtu