Frikësojuni Allahut të Lartësuar, meditoni lidhur me ditët tuaja dhe kalimin e shpejtë të tyre, me të vërtetë ato janë treguese se jeta juaj po shkon drejt fundit.
Filloi për ju ky muaj i bekuar me mirësitë dhe begatitë e tij, me 10 ditët e para dhe 10 ditët e dyta të tij.
Dhe ju tani jeni në 10 ditëshin e fundit të tij, shfrytëzojeni pjesën e mbetur të tij me punë dhe vepra të mira, përfundojeni me hajër, me të vërtetë ai është dëshmues për ne tek Allahu –subhanehu ue te’ala– ose dëshmues kundër nesh me atë që kemi depozituar prej hajrit apo sherrit.
O robër të Allahut! Ju tani jeni në 10 ditët e fundit të cilat janë ditët më të mira të muajit, Profeti ﷺ i veçonte ato me veçori jo si në pjesën tjetër të ditëve të muajit, për shkak të dijes së tij për vlerën dhe gradën e lartë të tyre dhe ju ndiqeni shembullin e tij në lidhje me këtë, prej vlerave të këtyre 10 ditëve është: se ato janë përfundimi i muajit dhe punët janë sipas përfundimit, ai që ka qenë bamirës në atë që ka kaluar le të bëjë mirë në këto 10 ditë që të jetë përfundim i mirë dhe kush ka qenë neglizhent ose ka bërë keqbërës duhet të pendohet përpara se të jetë vonë, merreni në llogari vetet tuaja në atë që jeni treguar neglizhentë kundrejt Allahut.
Dhe prej vlerave të këtyre 10 ditëve të bekuara është se Profet ﷺ orvatej gjatë tyre me atë që nuk orvatej gjatë ditëve të tjera prej netëve të muajit, Profeti ﷺ në fillim të muajit falej dhe flinte gjatë natës, kur hynin këto 10 ditë të bekuara, orvatej në adhurim, i linte marrëdhëniet me gratë, e zgjonte familjen e tij dhe e gjallëronte natën dhe kjo për shkak të kohës së gjatë në namazin e natës dhe selefët e devotshëm prej sahabëve, tabi’inëve dhe pasuesve të tyre ndiqnin shembullin e tij në lidhje me këtë.
Ata i veçonin këto 10 ditë me shtim në namazin e natës, u falnin në fillim të natës duke falur taravitë, më pas në fund të saj falnin namaz nate dhe e mbyllnin namazin e natës me namazin e vitrit, ata e zgjasnin namazin, e zgjasnin qëndrimin në këmbë, në ruku dhe në sexhde duke ndjekur shembullin e Profetit të tyre ﷺ.
Le t’i marrim ne ata si shembull dhe të ndjekim gjurmët e tyre se mos ndoshta bashkohemi me ta (në Xhennet), këto 10 ditë janë netë të namazit të natës dhe qëndrimit të gjatë dhe gjallërimit të natës, nuk është kusht që njeriu ta gjallërojë të gjithë natën dhe të mos fle, përkundrazi fal taravitë në fillim të natës, më pas fle dhe rehatohet, më pas ngrihet në fund të natës me muslimanët për të shkuar në xhami që të arrij vlerën e faljes së këtyre netëve të bekuara dhe të mos shkoj pas ëndjeve dhe shkujdesjeve të tij dhe të mos ndjekë shembullin e përtacëve dhe atyre që humbin kohën, por të marrë si si shembull njerëzit e hajrit, devotshmërisë dhe drejtësisë.
{Atyre që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar; kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona}