Nga Ebu Hurejra (radij Allahu anhu) ka thënë: E puthi Profeti ﷺ Hasanin të birin e Aliut (radij Allahu anhuma) dhe aty ishte Ekrau ibn Habis dhe tha: “Unë kam dhjetë fëmijë, nuk kam puthur askënd prej tyre.” E shikoi i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:
“Kush nuk mëshiron nuk mëshirohet!”1[Bukhari dhe Muslimi]
Nga ‘Aishja (radij Allahu anha) ka thënë: Shkuan disa njerëz nga Arabët (njerëzit e shkretëtirës) tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: A i puthni fëmijët tuaj? Tha: “Po.” Thanë: “Mirëpo ne –pasha Allahun– nuk i puthim.” Tha Profeti ﷺ:
“A mundem që t’ju bëj dobi unë në qoftë se Allahu e shkul nga zemrat tuaja mëshirën!!?”2[Bukhari dhe Muslimi]
Shejkh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin -Allahu e mëshiroftë-:
Ishte tek Profeti ﷺ Ekrau ibn Habis nga krerët e fisit Beni Temijm, dhe zakonisht në njerëzit e shkretëtirës dhe të ngjashmit me ta ka egërsi (vrazhdësi). E puthi Profeti ﷺ Hasanin dhe tha Ekrau:
“Unë kam dhjetë fëmijë, nuk e kam puthur asnjërin prej tyre.”
Allahut i kërkoj mbrojtje nga zemra e ngurtë. Nuk i puthte edhe pse ishin të vegjël. E shikoi Profeti ﷺ dhe i tha:
“Kush nuk mëshiron nuk mëshirohet”,
që do të thotë: ‘Se ai i cili nuk i mëshiron robërit e Allahut, nuk e mëshiron Allahu.’ Dhe kuptohet nga kjo se kush i mëshiron robërit e Allahut, atë e mëshiron Allahu, dhe kështu ka thënë Profeti ﷺ:
“Ata që mëshirojnë i mëshiron i Gjithëmëshirshmi.”
Në këtë ka argument se duhet që njeriu të përdorë mëshirë në trajtimin e të vegjëlve, e të tjerëve si ata, dhe gjithashtu duhet që njeriu t’i puthë fëmijët e tij, fëmijët e vajzave të tij dhe fëmijët e djemve të tij. I puth ata si mëshirë ndaj tyre dhe si pasim i të Dërguarit të Allahut ﷺ.
E ndërsa ajo që bëjnë disa njerëz të cilët përdorin egërsi dhe ashpërsi ndaj fëmijëve, e shikon fëmijën që për shkak të kësaj nuk mundet që të prezantojë në mexhlisin e tij (aty ku ulet prindi), dhe as nuk mundet fëmija që të kërkojë nga ai ndonjë gjë, dhe nëse e shikon me burrat e largon (e përzë atë). E kjo është në kundërshtim me sunnetin.
Ishte Profeti ﷺ që kur po falej me njerëzit në njërin nga namazet ‘ashij’, ose ishte namazi i ikindisë ose namazi i ylesë, i erdhi vajza e vajzës së tij ‘Umameh’ dhe ndërkohë ishte Profeti ﷺ që e merrte në krahë dhe ndërkohë ai falej me njerëzit (imam). Kur ngrihej e merrte në krahë dhe kur bënte sexhde e vendoste në tokë. Ku është morali jonë sot me këtë moral. Tani nëse e gjenë njeriu fëmijën e tij në xhami, e nxjerr jashta në vend që ta marrë në namaz.
Dhe ishte Profeti ﷺ një ditë në sexhde (në namaz) dhe erdhi Hasani apo Hysejni dhe hypi mbi të –pra fillojë të kalërojë–. E zgjati Profeti ﷺ sexhden dhe sapo dha selam tha:
“Djali im po më kalëronte mua dhe unë nuk desha që të ngrihesha derisa të mbaronte qefin e tij!”
Dhe ishte Ai ﷺ që po mbante hytbe një ditë në minber, hyri Hasani dhe Hysejni dhe kishin veshur rroba të reja me të cilat tërhiqnin vemendjen. Zbriti Profeti ﷺ dhe i mori para vetes dhe tha: Të vërtetën e ka thënë Allahu:
{Vërtetë pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj janë sprovë}3(Tegabun: 15),
i pash këta dy fëmijë të cilët më tërhoqën dhe nuk bëra dot durim.”
Pra nuk e përmbajti veten e tij derisa zbriti dhe i mori ata. Në të gjitha këto ka argument se njeriu duhet që t’i mëshirojë të vegjëlit, dhe të jetë i butë me ta dhe se kjo është shkak për arritjen e mëshirës së Allahut –Azze ue Xhel–.
E lusim Allahun që të na begatojë neve dhe juve me mëshirën e Tij, butësinë e Tij dhe me mirësinë e Tij.