Fukahatë kanë arritur në përfundim se ai që fal taravitë jep selam pas çdo dy rekateve, sepse taravitë janë prej namazit të natës dhe ai është dy e nga dy rekate, për shkak të hadithit:
«Namazi i natës është dy e nga dy rekate»
Dhe sepse taravitë falen me xhemat, kështu që i kushtohet rëndësi lehtësimit duke e ndërprerë me selam në fund të dy rekateve, sepse nëse zgjatet fillimi i namazit tjetër bëhet i vështirë për njerëzit. Dijetarët kanë rënë në mospajtim për atë që fal taravitë dhe nuk jep selam pas çdo dy rekateve:
Hanefitë kanë thënë: “Nëse i fal të gjithë taravitë me një selam dhe ulet pas çdo dy rekateve, e sakta është se namazi i tij është i saktë, sepse ka ardhur me të gjitha shtyllat e namazit dhe kushtet e tij, sepse tekbiri që hap namazin për çdo dy rekate nuk është obligim tek ata, por është e urryer nëse e bën nijet (që t’i falë me një selam të gjithë teravitë) sipas asaj që është e saktë tek ata, për arsye se bie ndesh me atë që është transmetuar, dhe deklarimin e tyre se është e urryer falja e më shumë se tetë rekateve me një selam.” Kanë thënë: “Nëse nuk ulet në çdo dy rekate dhe jep vetëm një selam atëherë namazi i tij është i pavlefshëm tek Muhamedi (Ibnul Hasen esh-Shejbanij, nxënësi i Ebu Hanifes) dhe është i vlefshëm tek Ebu Hanifja dhe Ebu Jusuf (nxënësi i Ebu Hanifes).”
Malikitë kanë thënë: “Është pëlqyer për atë që fal taravitë të japë selam pas çdo dy rekateve, ndërsa vonimi i selamit pas çdo katër rekatesh është i urryer, ajo që është më e mirë është që të japë selam pas çdo dy rekateve.”
Shafi’itë kanë thënë: “Nëse i fal taravitë katër rekate me një selam namazi nuk është i vlefshëm, bëhet i pavlefshëm nëse e bën me qëllim duke e ditur, ose përndryshe kthehet në nafile të zakonshme, dhe kjo për shkak se teravitë ngjasojnë me farzet në kërkimin e xhematit dhe kjo nuk e ndryshon atë që është transmetuar.”
Ndërsa për Hanbelitë nuk kemi gjetur ndonjë fjalë në lidhje me këtë çështje.