Pyetësi: ‘Umer ibn ‘AbdulAzizi pat dëgjuar një herë gruan e tij tek thoshte: “Allahu na rehatoftë prej teje”, ndërsa ai tha: “Amin!”
Përgjigje: (fillon shejkhu me qa….) Kjo është huajsia më e madhe, kjo është huajsia më e madhe, kur burrin e qortojnë familja dhe fëmijët e tij, dhe qortojnë gjëndjen e tij. Kur ai nuk gjen nga mesi i tyre përkrahës në të vërtetë, madje gjen në mesin e tyre njerëz që janë të rënduar prej tij.
Tani ky burrë ka dëgjuar gruan e tij – dhe ai është Kalifi, është ‘Umer ibn ‘Abdul- ‘Azizi – dhe dëgjon gruan e tij tek thotë: “Allahu na rehatoftë prej teje”, ndërsa ai thotë: “Amin!” Ajo ishte Fatime bintu Abdul-Melik.
Kjo ka ngjarë sepse ai (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), ka qënë në rrugën e plotë, ka qënë në Sunnet me plot kuptimin e fjalës, për të cilin dëgjuat pak më parë rreth Fudajl ibn Ijadit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).
Kur ‘Umeri e qortonte veten dhe i bënte vetes llogari, i bënte llogari rreth hallallit, haramit, përpiqej në Sunnet dhe në luftën kundët bidatit dhe pjestarëve të tij.
Ai debatonte bidatçit, siç ka bërë me havarixhët, siç ka bërë me kaderitë, dhe libri i tij në debat kundër kaderive është i njohur. Shkrimi i tij në debat kundër kaderive është i njohur në Sunnenin e Ebu Daudit, nga transmetimi i Ebu Bekr ibn Basës, nga Ebu Daudi Allahu e mëshiroftë, se në kundërpërgjigjen e ‘Umerit ndaj mohuesve të kaderit, ai ishte luftëtar kundër njerëzve të ëndjeve dhe të bidateve, luftëtar kundër njerëzve epsharakë prej prijësve nga Benu ‘Umeje, prej familjarëve të tij dhe djemve të xhaxhallarëve. Ai ua morri çfarë kishin uzurpuar, ia ktheu të zotëve të tyre dhe u përpoq të merrte hallallin.
Ai ka qënë kalif, mirëpo ishte sikur njerëzit e tjerë, merrte vetëm atë që i mjaftonte, Allahu qoftë i kënaqur me të. Kjo gjë i rëndoi fëmijët e tij, pasi dëshironin të jetonin jetën e mbretërve, jetën e të mirave të kësaj Dunjaje, ndërsa ai dëshironte të jetonte jetën e mbretërve të Akhiretit, kështu që merrte vetëm atë që i takonte dhe i lejohej të merrte. Kjo gjë i rëndoi ata, sa që shkoi puna të dëgjonte gruan a tij një ditë… Allahu e di më së miri, por ajo sikur donte… mirëpo e dëgjoi të thoshte: “Allahu na rehatoftë prej teje”, ndërsa ai tha: “Amin!”
D.m.th. ashtu siç po kërkoni ju të rehatoheni nga unë, unë mendoj se rehatimi juaj nga unë është rehati për mua! Nëse njeriu arrin në këtë gradë, çfarë i mbetet atij në këtë jetë? Allahu na dhëntë shëndet dhe mirëqënie.
Kjo është prezente tani. Disa gra dhe disa fëmijë që Allahu u ka dhënë sukses të pakët, sillen me baballarët e tyre duke i thënë: “Ti je fanatik, ti je i ashpër, ti je i ngurtë, ti je me kohën e gurit, ti na ke ngushtuar, ti nuk bën për njerëzit, këto i takojnë dijetarëve, ja shikoji si dalin në televizor, shikoje gjëndjen e tyre, shikoji shtëpiat e tyre… ndërsa ti di vetëm: Kjo është haram dhe kjo është haram.” Kjo është prezente, dhe shumë prej jush e dinë!
Mirëpo këta kanë shikuar Dunjanë, dhe janë njerëzit tuaj më të afërt, janë njerëzit që të njohin më mirë, dhe shikojnë vetëm Dunjanë, nuk shikojnë atë që shikon ti, dhe nuk u shkon në mend ajo që të shkon ty në mend, për këtë arsye ata janë rënduar prej teje. Kur gjendja të arrijë deri këtu, atëherë siç ka thënë ‘Umer ibn ‘Abdul-‘Azizi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “Amin!” Allāhu ju rehatoftë prej meje dhe po ashtu të rehatohem dhe unë.
Kjo është prezente dhe gjendet në shumë familje. Njerëzit janë siç ka thënë Allahu:
“E nëse i bindesh shumicës që është në tokë, ata do të humbin ty nga rruga e Allahut. Ata pasojnë vetëm hamendjet dhe ata vetëm gënjejnë.” 1[El En’am: 116]
Dhe thotë Allahu xhel-le ue ala’:
“Vërtet pasuritë dhe fëmijët tuaj janë sprovë.” 2[Et-Tegabun: 15]
Dhe thotë:
“Vërtet ka prej grave dhe fëmijëve tuaj që i keni armiq kundër jush, andaj ruhuni atyre.” 3[Et-Tegabun: 14]
E megjithatë, Allahu ka urdhëruar për durim:
“Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allāhu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” 4[Et-Tegabun: 14]
Kjo është sprovë e madhe! Huajsia e pasuesit të Sunnetit, nëse arrin të jetë i huaj me pjestarët e familjes, atëherë pasha Allāhun kjo është fatkeqsi e madhe; as në mesin e pjestarëve të shtëpisë nuk gjen përkrahës. Gjen luftëtarë kundër teje nga familja yte, gruaja dhe fëmijët e tu; kjo është fatkeqësi e madhe!
Andaj duhet t’i përulesh Allahut me durim dhe t’i lutesh Atij xhel-le ue ala’ dhe t’i kërkosh që të forcojë. E lusim Allahun xhel-le ue ala’ që të na forcojë ne dhe ju në të vërtetë dhe në udhëzim, të na i ndriçojë vizionet tona, vërtet Ai është Bujar.
Përshëndetjet dhe bekimet e Allāhut qofshin mbi robin dhe Pejgamberin e Tij, të Dërguarin tonë Muhamed.