Pyetje: A më lejohet mua të marr hua nga një bankë që merret me kamatë për të blerë shtëpi? Na informoni Allahu ua shpërbleftë me të mira.
Përgjigje: Mos merr nga banka asgjë edhe nëse do të kishe nevojë për një fetë buke për të mbajtur veten gjallë, lëre mënjanë që të marrësh për blerë shtëpi apo makinë. Allahu të ka lejuar ty kafshën e ngordhur, mishin e derrit, mishin e kafshës së mbytur në fyt, mishin e kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, ta ka lejuar kur nuk ke asgjë për të ngrënë. Por nuk ta ka lejuar kamatën, pasi kamata është shumë shumë e rrezikshme. Mos u merr me kamatë, bëj durim, me të vërtetë Allahu thotë:
{dhe ai që i frikësohet Allahut i gjen atij rrugëzgjidhje dhe e furnizon atë andej nga nuk e pret}1[el-Maide: 3]
Kamata është gjynah i madh dhe çështje e rrezikshme, dhe ai që e bën të lejuar, bën kufër.
Nëse ke nevojë për shtëpi, bëj durim, derisa të të furnizojë Allahu, ktheju Allahut dhe bëji sebebet, derisa Allahu ta lehtësoj blerjen e një shtëpie, ose më mirë të vdesësh dhe të jesh i ruajtur nga lufta ndaj Allahut, sepse fajdexhiu është në luftë me Allahun, Allahu na ruajttë; ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
{nëse nuk e bëni këtë, atëherë i keni shpallur luftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar, në këtë mënyrë nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë}2[el-Bekare: 279]
Shpalli luftë fajdexhinjëve. Resuli e ka mallkuar atë që e merr kamatën, atë që e jep, atë që e shkruan dhe dy dëshmitarët e saj.
Çfarë do më shumë pas mallkimit? A të bën dobi shtëpia kur ke përpara xhehenemin?
Besimtari duhet të ketë frikë Allahun dhe të bëj durim nga fukarallëku i tij dhe nga nevojat që ka, Allahu thotë:
{ne do t’i sprovojmë ata me gjëra të tilla si frika, uria, humbja e pasurisë, e njerëzve dhe të lashtave, prandaj përgëzoji durimtarët}3[el-Bekare: 155].
Bëj durim dhe Allahu do të të japë këtë shpërblim të madh, në vend të mallkimit, Zemërimit dhe Dënimit të Tij. Duroje këtë vështirësi në dynja dhe kjo nuk është asgjë krahasur me Zemërimin e Allahut dhe Dënimin e Tij.
E lusim Allahun që të na ruajë me Mirësinë e Tij dhe të na ruajë nga çdo gjë që e zemëron Atë, Allahu është Dëgjues i lutjes.
Ue sal’Allahu ala nibijjina Muhamed ue ala Elihi ue sahbihi ue sel’lem.