Transmetohet nga Aishja –Allahu qoftë i Kënaqur prej saj– se ka thënë: ka thënë Profeti –Sal’Allahu ‘alejhi ue selem–:
“Nuk ka hixhret pas çlirimit….”
Tha en-Nevevij –Allahu e mëshiroftë–: Kuptimi i tij është: nuk ka hixhret pas çlirimit të Mekës; sepse ajo është bërë vend islam.
Shpjegimi:
Ka thënë el-al’lameh Muhamed ibnu Salih el-‘Uthejmin – Allahu e mëshiroftë–:
Në këtë hadith i Dërguari i Allahut ﷺ e mohoi hixhretin pas çlirimit (të Mekës), ku tha: ‘Nuk ka hixhret…’ ky mohim nuk është në përgjithësi, dmth hixhreti nuk është anuluar me çlirimin (e Mekës), madje ‘Hixhreti nuk do të ndalet, derisa të ndalet pendimi dhe pendimi nuk do të ndalet derisa dielli të dalë nga perëndimi’, ashtu sikurse ka ardhur në hadith nga i Dërguari i Allahut ﷺ.
Qëllimi me mohimin këtu është: mohimi i hixhretit nga Meka, ashtu sikurse tha autori i librit –Allahu e mëshiroftë–; sepse Meka pas çlirimit u bë vend islam dhe nuk do të kthehet pas kësaj në vend mosbesimi, për këtë arsye Profeti ﷺ e mohoi që të ketë hixhret pas çlirimit (të Mekës).
Meka ishte nën pushtetin e mushrikinëve, të cilët e dëbuan të Dërguarin e Allahut ﷺ prej saj, kështu që ai ﷺ me Lejen e Allahut bëri hixhret (u shpërngul) në Medine dhe pas tetë vitesh Profeti ﷺ u kthye në Meke si çlirues dhe ngadhënjimtar –salavatu Allahi ue selamuhu alejhi–.
Kështu Meka nga vend mosbesimi u bë vend i besimit dhe Islamit dhe nuk ka pasur prej saj hixhret pas kësaj.
Në këtë (hadith) ka argument se Meka nuk do të kthehet më në vend mosbesimi, por do të qëndrojë vend islam derisa të bëhet Kijameti apo derisa të dëshirojë Allahu.