Zemra e besimtarit kërkon lumturinë në dunja dhe në Botën tjetër, por kjo lumturi e zemrës nuk arrihet vetëm se me dashurinë për Allahun e Lartësuar, me njohjen e Tij, me afrimin tek Ai me atë që Ai e do dhe kënaqet dhe shmangien e çdo gjëje që e hidhëron Atë dhe sjell Zemërimin e Tij.
Zemra e besimtarit është në mes dashurisë, shpresës dhe frikës. Zemrat kanë nevojë të lidhen me Zotin dhe Krijuesin e Tyre, për të garantuar rrugëtimin e tyre në rrugën të cilën Ai e ka ligjësuar për to.
Gjëja më e rëndësishme që e shtyn robin për të punuar, ja lehtëson rrugën për tek Allahu dhe e nxit atë për bindje dhe përkushtim është: puna e zemrës dhe më e madhja e këtyre punëve është: dashuria për Allahun e Lartësuar, shpresa tek Ai dhe frika prej Tij.
Robi besimtar ka në zemrën e tij vetëm dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe dashurinë për atë që do Allahu dhe i Dërguari i Tij, i do bindjet dhe adhurimet, i do robërit e Allahut, veçues të Tij në adhurim, ashtu siç ka ardhur në hadith nga Enesi -Allahu qoftë i Kënaqur prej tij- nga Profeti ﷺ se ka thënë:
“Tre gjëra nëse gjenden tek njeriu ka shijuar embëlsinë e besimit. Të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur se çdo gjë tjetër, ta dojë një njeri vetëm për hir të Allahut. Të urrejë kthimin në mosbesim, ashtu siç urren hedhjen në Zjarr”1(Muttefekun alejhi)
Robi besimtar në zemrën e tij ka frikën prej Allahut, kjo frikë e cila e bën zemrën e tij të shqetësohet prej pritjes së Hidhërimit të Allahut, Hakmarrjes dhe Dënimit të Tij të ashpër, nëse kryen atë që ka ndaluar Allahu apo neglizhon atë që Ai ka bërë detyrë për të!
Është kjo frikë që e frenon besimtarin nga pasimi i tekave të tij dhe rendja pas epshit të tij, e nxit atë që të jetë i përkushtuar në bindjen ndaj Allahut dhe Urdhërave të Tij.
Robi besimtar me dashurinë e tij për Allahun dhe frikën prej Tij, në zemrën e tij ka shpresën për të arritur Mëshirën, Kënaqësinë e Allahut, Dashurinë, Shpërblimin dhe Mirësitë e Tij në dunja dhe Botën tjetër.
Një shpresë që e nxit besimtarin të jetë i vendosur në përkushtimin ndaj Allahut dhe në garimin për punë të mira, sepse zemra është e varur tek mirësitë e Allahut dhe tek ajo që Allahu ka përgatitur për ata që i frikësohen dhe i bindem Atij prej robërve të Tij
Ka thënë i Lartësuari: ﴾Vërtet, ata që besuan, që mërguan dhe luftuan në Rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në Mëshirën e Allahut, Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë﴿2[el-Bekareh: 218]
Zemra e besimtarit në rrugën drejt Allahut të Lartësuar duhet të jetë e balancuar në mes këtyre tre kategorive, sepse kur njëra anë dominon mbi anën tjetër ai ka devijuar në adhurimin e tij dhe ka devijuar nga rruga e drejtë.
Ka thënë el-imam ibnul Kajjim -Allahu e mëshiroftë-: “Zemra në rrugën drejt Allahu është si zogu, dashuria është koka e tij, frika dhe shpresa janë dy krahët e tij.”
Paramendo çfarë do ndodhte me këtë zog nëse do humbiste një nga krahët e tij apo do të humbiste kokën e tij!
Padyshim që do bëheje pre e çdo kafshe të egër dhe grabitqari
Muslimani që e çon në vend atë Allahu i Lartësuar ka urdhëruar prej bindjeve, duhet të jetë i prirur për kryerjen e tyre me dashurinë dhe dëshirën për t’u afruar tek Allahu -xhel-le ue ala-, duke shpresuar prej Tij pranimin e tyre, duke lakmuar Shpërblimin, Mirësinë dhe Xhennetin e Tij.
Ai duhet të përkujdeset për kryerjen e tyre ashtu siç Ai e ka urdhëruar, duke u frikësuar se mos ja kthen dhe nuk i pranon prej tij, duke u frikësuar prej Dënimit dhe Hidhërimit të Tij nga neglizhenca e tij.
Kjo balancë në mes këtyre tre kategorive është rruga e profetëve -alejhimus salatu ues selam- ashtu siç Allahu -xhel’le ue ala- na ka dëftyer për gjendjen e tyre -alejhimus selam- ku i Lartësuari ka thënë:
﴾Vërtet, ata rendnin për punë të mira dhe Na luteshin me shpresë dhe frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh﴿3[el-Enbija: 90]